Takim i KKSH-së me deputetët e Kuvendit të Kosovës

0

Deklaratë për media

 

TAKIM I KKSH-së ME DEPUTETË TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Genci Nimanbegu, me bashkëpunëtorë, zhvilluan një takim pune me anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale nga Kuvendi i Kosovës, të udhëhequr nga znj. Flora Brovina, kryetare e Komisionit.

Kryetari i Këshillit, z. Nimanbegu, informoi të pranishmit për funksionimin e Këshillit, punët, aktivitetet, kompetencat dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, gjithashtu informoi për situatën e shqiptarëve në Mal të Zi dhe problematikat me të cilat ata përballen.

Në fjalën e mbajtur, znj. Brovina, shprehu interesim për nismat e deritanishme të Këshillit në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, për situatën e shqiptarëve në sferën socio-ekonomike, në arsim, shëndetësi, në vendimmarrje etj. Ndër të tjera, hapi edhe disa çeshtje për diskutim si: propozim ligji për regjionalizimin e sistemit shëndetsor në Mal të Zi, çështja për Komunën e Tuzit, shpërngulja dhe asimilimi i shqiptarëve të Plavës dhe Gucisë, nevoja e themelimit të fakultetit në qendrën e shqiptarëve në Mal të Zi, në Ulqin.

Znj. Brovina shprehi përkrahjen e Komisionit që ajo drejton dhe gatishmërinë e shtetit të Kosovës për bashkëpunim.

Në takim morrën pjesë edhe anëtarë të Këshillit, të cilët në fjalën e tyre parashtruan disa çeshtje si: ligji zgjedhor në Malin e Zi – i pa pranueshëm për shqiptarët, centralizimi i pushtetit, situata e rëndë ekonomike, çështja e pensioneve për shqiptarët e Malit të Zi, të cilët kanë punuar në Kosovë, pranimi i kufizuar i studentëve shqiptarë nga Mali i Zi në Universitetet e Kosovës, mungesa e një qendre poliklinike në Ulqin, shërbimi i urgjencës me një personel shumë të kufizuar, sidomos gjatë sezonit turistik etj.

 

Shërbimi për informim i KKSH-së

Comments

comments