Samiti i Vjenës. Emigrantët, Edi Rama: As nuk mbyllim kufijtë, as nuk shkelim vlerat e BE

0

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar në samitin “Migrimi përgjatë rrugës ballkanike” në Vjenë qëndrimin se Shqipëria as nuk mund të hapë kufijtë por as nuk mund të tradhëtojë vlerat e Bashkimit Europian.
‘Shqipëria ka pozicionin e saj të qartë qysh në fillim, jemi gati të marrim pjesë në këtë përpjekje, nëse kjo është e përbashkët, e mirëorganizuar, e koordinuar dhe e ndershme për të gjitha vendet. Shqipëria as mund të çeli kufijtë e të nxjerrë gjoksin përpara, as nuk sillet si disa vende që faktikisht tradhtojnë vlerat e parimet e Bashkimit Europian, kur flasin dhe i qasen çështjes së refugjatëve’.
Rama e vlerësoi Samitin edhe si një rast për të dëshmuar forcimin e reputacionit të Shqipërisë, ndërsa ka shprehur pritshmërinë për një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian për hapjen negociatave
‘Ka një vullnet të gjithëpranuar botërisht për reformën në drejtësi, për luftën kundër krimit, kundër trafiqeve dhe kundër korrupsionit. Kjo ishte nota pozitive për mua dhe shpresoj shumë të marrim atë që na takon mbas gjithë kësaj pune të madhe që kemi bërë, rekomandimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, që na fut në një fazë të re gjatë mandatit të dytë të qeverisjes’.
Gjatë qëndrimit në Vjenë, kreu i qeverisë shqiptare pati një takim kokë më kokë me homologun austriak Christian Kern, me të cilin bisedoi rreth reformave të qeverisë, duke u ndalur tek reforma në drejtësi dhe nevoja për të ecur përpara me procesin e integrimit europian. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrit , dy homologët ndanë qëndrimin për shfrytëzuar çdo hapësirë që rrit shkëmbimet tregtare dhe mundësitë e biznesit për të shtrirë investimet. Ndërkohë në Facebook, Foton e Ditës kryeministri zgjodhi t’ia kushtojë kancelares gjermane Angela Merkel.

Comments

comments