Samiti i Ballkanit në Bruksel. Përcaktohen projektet e përbashkëta

0

Gjashtë kryeministrat e Ballkanit u mblodhën në Bruksel nga Komisioneri austriak, Johannes Hahn, dhe Komisionerja sllovene, Violeta Bulc, për të pranuar larg kamerave angazhimet e marra në fund të Marsit në nivel ministrash në Prishtinë, përmes të cilave synohet ndërlidhja e kryeqyteteve të rajonit, çfarë mendohet të sjellë zhvillim dhe punësim.

 

Deklarata e përbashkët përfundimtare përmend “përmirësim të bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit ekonomik, si mjet të përbashkët për arritjen e standardeve europiane dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE”.

“Projektet gazsjellëse duhet të reflektojnë interesin e projekteve të komunitetit energjetik, që ka rëndësi për agjendën ndërlidhëse”, nënvizon qëndrimi i përbashkët dhe 6 vendet e rajonit angazhojnë “komitetet kombëtare të investimit” për prioritetet në këtë kuadër.

Ndërkohë që do të rishqyrtohet përfshirja e hekurudhës për “Korridorin 8”, siç shpjeguan të dy komisionerët kur u pyetën nga Top Channel mbi këtë çështje, por dhe mbi mënyrën e vendosjes së kufijve të Kosovës në hartën e projekteve të përbashkëta rajonale.

“Nëse do të lindë nevoja për të ngjyrosur korridoret e ndryshme në një hartë europiane, siç mund të jetë rasti, ne do të ndjekim procedurën e deritanishme për Kosovën, siç është vepruar përgjatë këtyre viteve, në pritje të marrjes së vendimit mbi këtë çështje në Bashkimin Europian”, tha Johannes Hahn, Komisioner i BE-së për Fqinjësinë europiane dhe Negociatat e zgjerimit.

“Ne do të japim mbështetje teknike për këtë korridor (8) dhe do të shqyrtojmë planet dhe financimet rreth tij. Më pas, në bazë të rezultateve, që do t’i shohim në takimin e 10-shes, do mund ta përfshijmë atë gjithashtu në rrjetin qëndror të ndërlidhjes”, tha Violeta Bulc, Komisionere e BE-së për Transportin.

Aeroporti i Tiranës dhe Porti i Durrësit luajnë rol kyç për ndërlidhjen qëndrore rajonale. Në projektet e përzgjedhura për investime, Shqipëria përfshihet në “Korridorin 8”, me rrugën Durrës-Elbasan, që lidhet më pas me Tetovën e Shkupin deri në kufi me Bullgarinë, si dhe me dy rrugë të “Korridorit 10”, Lezhë-Prishtinë-Nish dhe Podgoricë-Durrës-Fier-Tepelenë-Qafë Botë.

Por vendi përfiton dhe për hekurudhën lidhëse me Malin e Zi në këtë korridor, (Tiranë/Durrës-Podgoricë). Komisioni Europian angazhohet për 130 milionë euro për këtë vit dhe 1 miliard euro në tërësi për Ballkanin, vetëm nga fondet e para-anëtarësimit (IPA 2014-2020). Rezultatet konkrete mbi projektet specifike pritet të qartësohen në samitin e Vjenës, që mbahet më 27 Gusht

Comments

comments