Kalimera poetike më 2-4 gusht

0

 “Art Club-i” do të organizojë më 2-4 gusht 2014, ngjarjen kulturore tradicionale “Kalimera poetike”. Gjatë tri mbrëmjeve të poezisë, mysafirët poetë do të jenë: Luljeta Lleshanaku nga Shqipëria, Miras Martinovic nga Mali i Zi dhe Beqë Cufaj nga Kosova, të cilëve do t’u kushtohen mbrëmje autoriale.

Luljeta Lleshanaku u lind më 1968 në Elbasan. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1996, merr çmimin për librin më të mirë të vitit nga shtëpia botuese Eurorilindja Publishing House. Një libër me poezitë e saj është përkthyer në anglisht nga Henry Israeli, i titulluar “Fresco” botuar në New York, nga shtëpia botuese New Directions 2002.

Luljeta është autore e shumë vëllimeve me poezi, ndër të cilat:

“Sytë e somnambulës” (1994),
“Këmbanat e së djelës” (1995),
“Gjysëmkubizëm” (1997),
“Antipastorale” (1999),
” Palca e verdhë” (2000),
“ Fresco” (Sh.B.A, 2002).

Më poshtë po ju sjellim disa nga poezitë e saj. 

 

ME TY

Do të ulem në kënd të buzës
si në një shkëmb, pranë një ujëvare
e sigurt se s’do më rrëmbejë shtjellë e fjalëve.

Do të ulem në kënd të syrit
si një zambak i mbirë në ujë pranë bregut
me fletë të vogla që t’mos zë shikimin.

Se unë në fund të fundit, ç’jam?
– Një dallgë e ngrirë në hapësirë
e shkulur nga deti i gjoksit tënd.
Shtrin duart të më arrish e s’më arrin.

 

IKËN ZOGJTË 

Ikën zogjtë
ikën dhe si brenga lanë foletë këtu
dimri si kupa i mbushi me shira
i mbushi dhe i piu
i piu dhe u deh
nga vetmia.

 

SHAH

Është vjeshtë. Venat në mermer
bymehen nga shirat.
Varret e të afërmve të mi,
me vetëm katër gisht kohë midis,
të vënë në radhë
si një varg makinash të bllokuara
në kryqëzim me hekurudhën.
Lufta ka marrë fund. Ajo dorezë farkëtari
që i mbante dikur, si gishtat, të gjithë bashkë
është hedhur, e panevojshme, tej.
Jashtë saj, jashtë thjesht ca të panjohur
që presin vetëm trenin të kalojë
në krahun tjetër të rrugës…
Aroma e dheut
Të kujton shtëpinë
Ku mungon një orë e varur në mur.
Ua pastroj emrat me kujdes në pllaka
Vitet.., si plagë të vogla në gjunjë
Dashurinë.., që tashmë djeg më pak
Se një gjemb trëndafili.
Në të hyrë të varrezës
Roja që luan shah me veten në kabinë.

 

Comments

comments