Kabinat telefonike të Londrës marrin një kuptim tjetër

0
Kabinat e kuqe telefonike të Londrës të cilat janë pëlqyer shumë, kohët e fundit përdoren fare pak. Andaj, dy sipërmarrës kanë gjetur një mënyrë të re që të vazhdohet përdorimi i tyre për celularë, që janë pikërisht shkaku pse ato nuk përdoren në ditët e sotme.
Këta dy sipërmarrës janë duke transformuar kabinat telefonike në stacione për karikimin e baterive të celularëve. I pari është zbuluar në Londër këtë javë dhe pesë të tjerë do të vendosen së shpejti nëpër këtë qytet.
Sipas sipërmarrësve, këto kabina, tani jo më të kuqe, por të gjelbërta dhe me emrin Solarboxes, mund të karikojnë deri në 100 celularë ose tableta në ditë. Ky shërbim është falas, pasi që energjia vjen nga një panel solar i vendosur në çati, kurse shpenzimet e tjera mbulohen nga reklamat që shfaqen në një ekran brenda, të cilat mund të shihen gjatë karikimit të celularit.
Pas kësaj iniciative janë Kirsty Kenney dhe Harold Craston, dy të diplomuar të gjeografisë nga London School of Economics. Ata fituan 5.000 £ për financimin e projektit në garat e ashtuquajtura Low Carbon Entrepreneur të sponsorizuara nga Kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson.
Ata u inspiruan nga fakti që në Londër janë rreth 8000 kabina telefonike që nuk përdoren, gjë që edhe e bëri kryetarin ta përkrahë një ide kreative të tillë.
Stacionet e gjelbërta janë pritur shumë mirë nga londinezët, pasi që çështja e karikimit të baterisë paraqet një ankth të përditshëm për ta. Sidoqoftë, edhe pse Londra nuk ëshë e njohur me ditë të shumta me diell, shpikësit thonë që kabinat kanë bateri shtesë që i bëjnë ato të punojnë ditë e natë, por edhe gjatë shiut të pashmangshëm të Londrës.

Comments

comments