Hulumtim i CIN-CG: Keqpërdorime kolosale të Gjekës si kryetar komune (Pjesa e I)

0

Qendra për Gazetari Hulumtuese ka publikuar një artikull në të cilin radhiten një numër i madh i keqpërdorimeve që ish kryetari i komunës Fatmir Gjeka ka kryer gjatë pushtetit të tij.  Shumë prej këtyre keqpërdorimeve janë publikuar edhe nga portali ynë, por ka edhe të reja. Në vazhdim mund të ndiqni tekstin në shqip i përkthyer nga ai në gjuhën malazeze.

“Prokuroria Speciale që nga muaji mars i këtij viti shqyrton shpenzimet e fondeve buxhetore gjatë kohës kur Gjeka ishte kryetar i kësaj komune. Ai ishte në atë pozitë nga shkurti i vitit 2014 deri në mars të vitit 2016, kur ka pasur riformatimin të forcave në parlamentin lokal. Gjeka dha dorëheqjen, por më pas partia e tij mbeti në koalicionin qeverisës, megjithëse me një pozitë të dobësuar, për shkak të hyrjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në qeverinë lokale.

Hulumtimi i pavarur nga CIN-CG / BIRN ka treguar se kabineti i kryetarit Fatmir Gjeka, përkundër vështirësive financiare dhe bllokimit të shpeshtë të llogarive, vetëm në vitin 2015 e tejkaloi buxhetin për 135.000 euro. Ndër të tjera, kishte parfume dhe artikuj lëkure. Gjeka thotë këto ishin dhurata për delegacione dhe punonjës të ndryshëm në komunë. Disa faktura janë përpunuar edhe në Photoshop. Çmimi i çantave të lëkurës të porositura për këshilltarët për 179 euro është konvertuar në 500 euro, kështu që shuma totale përkon me shumën e pagesës nga banka.

Në Kabinetin e Kryetarit të Komunës janë fakturuar artikuj prej lëkure, kondicionerë, tavolina dhe karrige për kuzhinë dhe shumë gjëra të tjera që nuk mund të gjurmohen, sipas gjetjeve të komisionit komunal që kreu regjistrimin. Ka dyshime se Gjeka me qëllim sigurimin e votave u ka dhënë personave të ndryshëm material ndërtimi, i cili është porositur përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, zgjedhjeve lokale në 2010, dhe atyret parlamentare në tetor 2016. Dokumentet në posedim të CIN-CG / BIRN tregojnë edhe për shkelje të mundshme të procedurave të prokurimit publik.

Gjatë intervistës, i përballur me faktet e hulumtimit, Fatmir Gjeka komentoi: “Unë mendoj se këto janë të gjitha me prapavijë politike … Më kritikojnë mua, më kanë kritikuar edhe në të kaluarën, sidomos tani që po afrohen zgjedhjet.. Ne e kemi një thënie – pas kalit të mirë çohet pluhur. ”

Kundërshtari i tij, Nazif Cungu, nuk e mohon se ai e informon Prokurorinë për shkeljet e mundshme të Gjekës, ndërsa ishte në krye të Ulqinit. Cungu, megjithatë, thotë se kjo nuk ka të bëjë me politikë por me ligjin dhe procedurat. “Kjo është një procedurë normale. Sekretariati kompetent informon kryetarin e komunës se mungon malli dhe atëherë është normale që të lajmërohet Prokuroria nëse ka elemente të veprës penale” thotë Cungu.
Por edhe Cungu hetohet nga Prokurorinë Speciale për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionit, si mësoi CIN-CG / BIRN , nga dy burime të pavarura në Prokurorinë Speciale, por detajet nuk janë në dispozicion.
Cungu thotë se nuk ka informacion se hetohet nga Zyra e Prokurorit të Shtetit. “Nuk e di. Ata erdhën në komunë dhe se çka kanë marrë me vehte unë nuk jam interesuar në veçanti por nuk kam çfarë të fsheh dhe qëndroj në dispozicion për çdo dokument që u nevojitet. ”

Hetimet pa një epilog gjyqësor

Qytetarët e Ulqinit, kryesisht shqiptarë, të cilët në këtë qytet me 22.000 banorë janë rreth 70 për qind, nuk kanë fat me përfaqësuesit e tyre.
Gjatë dhjetë viteve të fundit, kryetarët e komunave, drejtorët e kompanive publike, udhëheqësit e partive ishin nën hetim, por pothuajse asnjë nga hetimet nuk përfundoi me vendim gjyqësor.
Ndonëse Ulqini ka një nga plazhet më të bukura dhe më të gjata në Adriatik, jeta e qytetarëve po bëhet më të vështirë. Paga mesatare është 428 euro, 20 për qind më e ulët se në nivelin shtetëror. Llogaria komunale bllokohet shpesh për shkak të keqpërdorimeve të ndryshme.
Në Ulqin, PD dhe Forca kanë luftuar për votat shqiptarë për vite me rradhë. Udhëheqësit e këtyre partive ndërrohen si kryetarë dhe partitë bëjnë koalicione qeverisëse, gjatë të cilëve megjithatë vështirë se bashkëpunojnë. Për shkak të konfliktit të dy partive në vitet 2014 dhe 2015, kur Gjeka ishte kryetar komune, Kuvendi Komunal nuk ka votuar për buxhetin final, kurse mosmarrëveshja në lidhje me rebalancin e buxhetit ka rezultuar me dorëheqjen e Gjekës. Për shkak të mungesës së shumicës në parlamentin lokal, puna e Kuvendit bllokohej sa herë që duhet të votoheshin çështje të rëndësishme në rendin e ditës.

Andrija Qetkoviq, anëtar i Partisë Socialiste Popullore (SNP) të opozitës, e cila ka kritika të shpeshta për shpenzimet, e përshkruan gjendjen në Komunë, “Ata grinden ditën e pajtohen natën. Kjo grindje zgjat vetëm deri në atë moment derisa të fitojnë votat dhe pastaj zakonisht bëjnë një koalicion dhe formojnë pushtetin. Dhe pastaj bëjnë rotacione, njëherë njëri është kryetar pastaj tjetri. Pas tyre lanë “bishta” të gjatë, por ato kurrë nuk procesohen deri në fund. ”

Organet gjyqësore të nivelit shtetëror kanë vite që kanë shumë punë në Ulqin.
Gzim Hajdinaga, nënkryetari i partisë së Fatmir Gjekës, ish-ministër i Qeverisë së Malit të Zi për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, ishte kryetar i komunës nga viti 2006 deri në vitin 2011. Në pothuajse të njëjtën periudhë, Gjeka ishte sekretar i financave.
Në vitin 2012, Hajdinaga arriti një marrëveshje me Prokurorin e Lartë të Shtetit për të paguar 10,000 euro për maternitetin lokal, në mënyrë që të shmang gjykimin për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe lejimin e ndërtimit të paligjshëm në dëm të komunës.

Një hetim është duke u zhvilluar për rrëzimin e hotelit Galeb nëntë vjet më parë, kur Hajdinaga ishte kryetari komune. Hetuesit po hetojnë se kush e lejoi investitorin të prishë hotelin, i cili ishte një nga simbolet e qytetit, pa investuar 15 milion eurot e premtuara. Kohët e fundit ai është emëruar si drejtor ekzekutiv i Berzës së Energjisë, një kompani e re energjetike me kapital shtetëror.

Hajdinaga u pasua nga Nazif Cungu që ishte kryetar i komunës nga viti 2011 deri në vitin 2014. Në vitin 2014, Prokuroria filloi një hetim kundër tij për shkak të parregullsive të mundshme në lidhje me konvertimin e tokës shtetërore në vendin e Shas në Ulqin. Thuhet se planet urbanistike u miratuan që të lejohen ndërtimet e në zonën ku Cungu kishte tokën. Në maj të atij viti, Prokuroria Themelore e Shtetit lëshoi ​​një vendim për hedhjen poshtë të hetimeve në këtë rast.

Një burim nga Zyra e Prokurorisë Speciale konfirmoi për CIN-CG / BIRN se ka hetim në lidhje me rastin e Shasit, ndërsa burimi tjetër konfirmoi se ai është afër përfundimit. Megjithatë, Cungu thotë se rasti Shas ka mbaruar. “Ne kemi një vendim. Nuk kam asnjë informatë nga Prokuroria Speciale. Dyshoj se ata do të merreshin me një gjë të tillë pasi çdo gjë është e pastër. ”
Edhe Fatmir Gjeka ka bërë një marrëveshje me Prokurorinë, në lidhje me parregullsitë që ai ka bërë gjatë kohës që ishte drejtor i NP “Ujësjellës-kanalizime”. Për të shmangur gjygjin për punësimin ilegal të 79 personave, ai pagoi 1,200 euro për fëmijët me nevoja të veçanta.

PD dhe kryetari i saj Fatmir Gjeka janë gjobitur edhe nga Auditimi Shtetëror pasi ai gjeti se nga llogaria e partisë në vitet 2013 dhe 2014, janë tërhequr pa dokumentacion përkatës 23,400 euro, çka përbënte rreth 40% të totalit të mjeteve në dispozicion të partisë.
Për problemet e Ulqinit, opozita dhe organizatat joqeveritare fajësojnë PDS-në në pushtet.
Për Dritan Abazoviq, nga Ulqini, i cili drejton Lëvizjen Qytetare URA, qyteti është gjetur në vorbull të “marrëveshje politike” midis partive kombëtare shqiptare që janë dominuese në komunën e Ulqinit, dhe PDS-së. “PDS e ka pranuar se për shkak të mbështetjes që ata u japin atyre në nivel kombëtar, lejon që partitë nacionale shqiptare të bëjnë pothuajse çdo gjë që duan në Ulqin,” tha ai.
PDS e ka mohuar këtë disa herë.

Pjesa e dytë do të vijojë….

Comments

comments