Fronti i thotë JO Abazoviqit?

0

Ekzistojnë shanse të vogla që Fronti Demokratik të marrë vendimin për huazimin e deputetit ish funksionerëve të Malit të Zi Pozitiv Dritan Abazoviqit dhe Mlladen Bojaniqit që të formojnë klubin e deputetëve. Sipas informative që transmeton portali Analitika, ky propozim i Abazoviqit nuk u vendos në shqyrtim në rendin ditor të kryesisë së Frontit Demokratik, por që në grupacionin e Lekiqit dominon opinioni që të mos merret vendimi për huazim të deputetit.

Abazoviq dhe Bojaniq diskutuan javën e kaluar me liderin e Frontit Demokratik Miodrag Lekiq për formimin e klubit të deputetëve në të cilën do bënte pjesë një nga përfaqësuesit e Frontit.

Poqëse kjo kërkesë vendoset në shqyrtim në rend të ditës në kryesi, ka shumë pak gjasa që të pranohet. Kundër këtij vendimi janë Nova, PZP, si dhe grupacioni politik i Millan Knezheviq.

Ish deputeti i Malit të Zi Pozitiv Zoran Milaniq më heret tha se nuk do inkuadrohet në të njëjtin klub me Abazoviqin dhe Bojaniqin. Të njëjtën pikëpamje e shprehu edhe deputeti i Frontit Demokratik Radovan Asanoviq në kumtesë për DAN.

Përkrahjen nga Fronti Bojaniq dhe Abazoviq e kërkuan në mënyrë që të mund të formojnë klubin e deputetëve, por që Lekiq nuk mund t’i garantojë përkrahjen.

Ish deputetët e Malit të Zi Pozitiv insistojnë në formimin e klubit për arsye teknike, sepse në këtë mënyrë do siguronin hapësirat në Parlament, si edhe përfaqësuesin në Kolegjiumin e Kryetarit të Parlamentit.

Ndër arsyet kryesore pse Fronti nuk do t’ia huazojë deputetin janë fakti se ata mendojnë se Abazoviqi duhet ta kishte dënuar siç e quajnë ata “ekstremizmin shqiptar” lidhur me ndeshjen e futbollit në mes të Shqipërisë dhe Serbisë, si dhe fakti se pjesë e platformës së MZP në kohën kur Abazoviqi ishte anëtar i saj kishte qenë pranimi i Kosovës si shtet i pavarur.

Përkundër gjithë asaj që Fronti ka shprehur ditët e fundit, por edhe në qëdrimet e tyre të njohura lidhur me këto çështje, Abazoviq prapë se prapë kërkon përkrahjen e tyre, për të marrë si përgjigje përsëri një jo. Lind pyetja se pse Abazoviq kërkon përkrahjen e tyre, pra a mendon ai se ia vlen të shpërfillen qëndrime të tilla vetëm për hir të pjesëmarrjes në Kolegjium të Kryetarit të Parlamentit?

Comments

comments