Edicioni i 26-të i manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi” më 27-29 korrik  

0

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë më 27-29 korrik 2018, në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, edicionin e 26-të të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”.

Që prej këtij viti “Kalimera Poetike” ka marrë emrin e poetit të ndjerë Basri Çapriqi, prandaj nata e parë e edicionit të sivjetshëm do t’i kushtohet këtij autori në formën e një mbrëmjeje homazh. Dy netët tjera do të organizohen mbrëmje autoriale me shkrimtarët e ftuar  – poeten dhe skenaristen Natsha Lako nga Shqipëria dhe poetin Salajdin Salihu nga Tetova (Maqedoni).

Tash një çerek shekulli “Kalimera Poetike” tubon emrat më të njohur të letërsisë shqipe dhe letërsive të vendeve të tjera nga rajoni dhe bota. Qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie është të promovojë krijimtarinë më të mirë letrare shqiptare, por edhe ballkanike dhe të huaj, në mënyrë që ta bëjë atë të njohur për publikun vendas dhe turistët.

“Kalimera Poetike” vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë. Duke pasur parasysh rrugën e zhvillimit të kësaj veprimtarie ndër vite, mund të thuhet se “Kalimera Poetike” është shndërruar në orë letrare akademike të letërsisë shqipe. Që nga viti 2010, në kuadër të këtij manifestimi, përveç me shkrimtarë shqiptarë, janë organizuar mbrëmje autoriale edhe me shkrimtarë nga Mali i Zi, rajoni dhe më gjerë, duke bërë që “Kalimera Poetike” të shndërrohet në festival letrar me karakter rajonal dhe ndërkombëtar.

“Kalimera Poetike” organizohet rregullisht që nga viti 1993 dhe gjatë ditëve të zhvillimit të saj, Ulqini është vendtakim i shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre nga rajoni.

Ulqin, më 23. 07. 2018