Cili mund të jetë dëmi i listes se trete te Nikollë Camaj?

0

Analiza e Lajm.Me për zgjedhjet parlamentare 2016 dhe rezultatet e parashikueshme të partive shqiptare.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare në Mal të Zi garuan 23 lista zgjedhore ndërkohë që 4 prej tyre ishin të partive shqiptare edhe pse shqiptarët përbëjnë vetëm 5% të popullsisë. Partitë shqiptare e humbën një deputet si pasojë e përçarjes së tyre në katër lista duke marrë në total vetëm 2 deputetë nga tre që do ishte e mundur po të ishin të bashkuar. Lista e FORCA për Bashkim ka marre  5244 vota dhe një deputet, Lista Koalicioni Shqiptar e përbërë prej Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike në Mal të Zi mori 3824 vota dhe siguroi gjithashtu një deputet. Lista e Unionit Demokratik Shqiptar mori vetëm 2848 dhe nuk mori asnjë deputet ndërsa lista Aleanca Rinore Shqiptare e drejtuar prej Anton Lulgjuraj dhe e përkrahur prej diasporës shqiptare në SHBA mori vetëm 531 vota dhe asnjë deputet.

Po qe se UDSH-ja do të kishte marrë 250 vota më shumë do të kishte siguruar një deputet. Po ashtu nëse Forca do të kishte marrë rreth 350 vota më shumë do të kishte siguruar deputetin e dytë të listës së saj. Mirëpo me mijëra vota shqiptare shkuan kot dhe deputetin që duhet të kishin marrë partitë shqiptare shkoi në llogari të partive malaziase. Kuptohet që konkurrimi me një listë të re, edhe pse nuk ka shanse fitore, ka leverdi ekonomike sepse kushdo që siguron mjaftueshëm nënshkrime për të regjistruar një listë zgjedhore siguron 22 000 euro nga buxheti shtetëror për fushatën.

camaj_doktoriSipas të gjitha gjasave rolin përçarës dhe tretjen e deputetit të tretë shqiptar në zgjedhjet e 16 tetorit do ta shkaktojë lista e Lidhjes Demokratike Shqiptare të drejtuar nga  Nikollë Camaj e cila mund të sigurojë një deputet vetëm nëse trefishon votat e deritanishme. Për të krijuar një ide të përafërt të votave që mund të marri lista e tretë nevojitet që të analizohen votat e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në zgjedhjet e kaluara.  Në zgjedhjet lokale që u zhvilluan në vitin 2012 Lidhja Demokratike në Mal të Zi mori 749 vota në Komunën e Tivarit, 302 vota në Plave e Guci dhe 318 në Ulqin. Në Rozhajë LDMZ nuk figuron në zgjedhjet lokale por në ato parlamentare në të njëjtin vit bashkë me Partinë Demokratike dhe Alternativën Shqiptare në kuadër të Koalicionit Shqiptar morën 81 vota.  Ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2014 Lidhja Demokratike në Mal të Zi mori tre mandate me  891 vota.

Pra duke përllogaritur votat nëpër krahina të  ndryshme në zgjedhjet e kaluara në total Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka marrë në total 2341 vota . Nga këto 1274 vota janë marrë nga degët e LD në MZ të Rozhajës, Plavë-Gucisë si dhe Malësisë që u ndanë dhe sot janë nën udhëheqjen e Nikollë Camaj si dhe 1067 votat e degëve të Ulqinit dhe Krajës që vazhdojnë të jenë në kontroll të Mehmet Bardhit. Bashkimi me doktor Isat Jakupin është krejt pa peshë pasi zgjedhjet e fundit ku  ka marrë pjesë dr. Jakupi ka qenë ajo e vitit 2010 kur ka marrë vetëm 86 vota që po t’i shtohen votave të kaluara të degëve të LDMZ-së që drejtohet nga Camaj shkojnë në total 1360.

Pra do duhej që Camaj ti trefishojë votat për të siguruar një deputet çka do të thotë se votat shqiptare të  Listës së Lidhjes Demokratike Shqiptare sipas të gjitha gjasave jo vetëm kanë për të shkuar dëm por kanë për të penguar dy listat e tjera shqiptare që të marrin deputetin e tretë. Është e pakuptueshme se përse Z. Camaj dhe forca e re politike që ai ka krijuar prej shkëputjes nga LDMZ-ja e drejtuar prej Mehmet Bardhit, i ka hyrë kësaj aventure politike që i ka gjasat e vogla për të pasur sukses.

 

Comments

comments