Botimet e “Art Club”-it në Bibliotekën e “Columbia University”

0
25

Disa nga botimet kryesore të viteve të fundit të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” kanë gjetur vend në Bibliotekën e “Columbia University”, njëra ndër bibliotekat më të mëdha dhe më të njohura në botë.

Në letrën e falënderimit, drejtoresha për katalogizimin e materialeve origjinale dhe të veçanta të kësaj biblioteke, Kate Harcourt, shprehet se “Columbia University” me bibliotekën e vet është shtëpia intelektuale e shumë studiuesve dhe specialistëve të njohur të studimeve ballkanike dhe se këto libra do të ndihmojnë këtë mision.

“Columbia University Libraries” është biblioteka akademike më e madhe në Shtetin e Nju-Jorkut dhe njëra ndër pesë bibliotekat kërkimore më të mëdha në Amerikën e Veriut. Koleksionet e saj përfshijnë mbi 13 milionë vëllime, mbi 160 mijë revista dhe seriale, si dhe burime të mëdha elektronike, dorëshkrime, libra të rralla, mikroforma, harta, materiale grafike dhe audio-vizuale.

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi dhe në kuadër të veprimtarisë së vet botuese ka botuar deri tani rreth 120 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi

 

 

Ulqin, më 19 tetor 2017 ​SHAI “Art Club”