Aplikacion për zgjidhjen e ekuacioneve matematikore

0

Një ekspert kroat për programimin e kompjuterëve Damir Sabol ka krijuar së fundi një aplikacion që zgjidh ekuacionet matematikore.

Damir Sabol ishte duke ndihmuar djalin e tij për zgjidhjen e detyrave të matematikës, kur papritur i lindi një ide.

“Pse duhet të lodhemi kaq shumë me llogaritje kur mund të shfrytëzojmë softuer-ët inteligjentë?” tha ai.

Sabol e realizoi idenë e tij duke krijuar aplikacionin “PhotoMath”. Aplikacioni është falas dhe mund të skanojë e të zgjidhë ekuacionet matematikore duke dhënë edhe shpjegimet e duhura për veprimet hap pas hapi.

“PhotoMath” është hedhur në rrjet në muajin tetor të vitit 2014 dhe që nga ai moment ai ka korrur një sukses të vërtetë në dyqanin e aplikacioneve “App Store” duke u shkarkuar më shumë se 11 milionë herë.

Së fundi, ai është përditësuar për të zgjidhur ushtrime të një niveli më të lartë vështirësie. Së shpejti ai do të jetë në dispozicion edhe në një version për Android, transmeton shekulli.

Ky aplikacion është bazuar në të njëjtën teknologji që është përdorur dhe në aplikacionin “PhotoPay” që u prezantua në vitin 2012 nga kompania “Sabol”.

“Photo Pay” thjeshtëson përdorimin e bankës nga telefoni duke skanuar faturat dhe duke i paguar ato në moment direkt nga llogaria bankare përmes smartfonit.

Sabol tha për “Reuters” se ajo që ai ka bërë realisht është t’i mësosh telefonit se si ai të lexojë gjëra nga bota reale.

Por krijimi i këtij aplikacioni ka pasur edhe shumë kritika nga ekspertë të matematikës, të cilët thonë se kjo do t’i bëj fëmijët edhe më përtacë për zgjidhjen e ushtrimeve, aq më shumë që numri i personave në botë që merren me matematikë sa vjen e ulet dhe shkak i kësaj është bërë teknologjia.

Comments

comments